LA Leikërs kanë humbur një mundësi të artë për të vendosur baraspeshën në seri dhe për të rrëmbyer faktorin fushë në sfidën ndaj Oklahomas pasi janë mundur 77-75 në një ndeshje të cilën dy minuta para fundit e kontrollonin qetësisht. Kobi Brajant dhe Endriu Bainëm shënuan nga 20 pikë për të mbajtur skuadrën e tyre para në periodën e fundit, por kur kishin mbetur edhe 2 minuta lojë dhe avantazhi ishte 7 pikë për kalifornianët, ata kanë gabuar çdo aksion të mundshëm. Kevin Durant me 22 pikë (7 topa në tabelë, 5 pasime) ishte protagonist në këto minuta të fundit duke arritur të depërtojë në mbrojtjen e LA Leikërs për të rrëmbyer këtë fitore të vlefshme që çon serinë në 2-0.
Boston ka arritur t’i kthejë revanshin Filadelfias duke fituar 107-91 në fushën kundërshtare për të rimarrë kryesimin 2-1 të serisë mes këtyre dy skuadrave. Pas dy ndeshjeve të vendosura nga vetëm 1 pikë diferencë, këtë radhë Boston ka arritur të shkëputet që në periodën e tretë duke thelluar avantazhin dhe duke treguar se kërkon me çdo kusht të shkojë në finalen e Konferencës së Lindjes. Kevin Garnet (27 pikë, 13 topa në tabelë), Pol Pirs (24 pikë, 12 topa ne tabelë) dhe Razhan Rondo (23 pikë, 14 pasime, 6 topa në tabelë) ishin protagonistë thuajse në çdo aksion duke u kthyer nga një skuadër shumë mbrojtëse, në një skuadër shumë ofensive që nuk i la mundësi reagimi ekipit kundërshtar. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Boston (2)-Filadelfia (1) 107-91
LA Leikërs (0)-Oklahoma (2) 75-77
Sonte
Majemi (1)-Indiana (1)
LA Klipërs (0)-San Antonio (1)
Thursday, 17 May 2012 17:25