Deri një javë më parë, gara për vendin e parë në Konferencën e Perëndimit në NBA dukej e mbyllur, me Oklahoman që dominonte, sidomos në fushën e saj. Por 3 humbje në 5 ndeshjet e fundit, të gjitha në shtëpi, kanë bërë që lufta të rihapet. Humbja e fundit ka qenë më domethënëse, pasi ka ardhur pikërisht nga ndjekësit me të afërt, San Antonio, që ka fituar 114-105 duke marrë kryesimin që në fillim dhe duke e mbrojtur atë deri në fundin e ndeshjes, ndonëse mungonte Xhinobili, i lënë pushim nga trajneri Popoviç. Për Oklahoman nuk kanë mjaftuar paraqitjet e zakonshme të Uestbruk (36 pikë), Durant (24 pikë) dhe Harden (19 pikë), pasi mbrojtja e ka patur të vështirë të kontrollojë teksanët, ku të 5 titullarët e kësaj skuadre kanë kaluar kuotën e 10 pikëve.
Një tjetër humbje e bujshme ka qenë ajo e kryesuesve të Konferencës së Lindjes, Çikagos, që është mundur në shtëpi nga Portland, një skuadër që po rinovohet krejtësisht dhe që këtë sezon nuk ka pretendime për playoff. Me Derrik Rouz përsëri në stol për shkak të dëmtimeve, Çikago mendohej se do të përsëriste suksesin e dy netëve më parë kundër Majemit. Por Portland ka lënë të shtangur vendasit falë një loje të jashtëzakonshme të LaMarkus Alldrixh (21 pikë, 5 topa në tabelë) dhe Nikolas Batum (15 pikë, 9 topa në tabelë) në periodën e fundit. Nga Çikago, vetëm Karlos Buzër u shfaq në lartësinë e duhur me 22 pikë e 14 topa në tabelë, por as ai nuk mundi të bënte shumë në periodën fundit ku ekipi i ri i Portland arriti të shkëputej dhe të merrte këtë sukses të rëndësishëm.
Nga skuadrat kryesuese, pa humbje ka shpëtuar vetëm Majemi që ka ndërprerë serinë negative prej 4 disfatash radhazi jashtë fushë duke fituar në Filadelfia përballë vendasve. Falë LeBron Xhejms (29 pikë, 7 topa në tabelë, 8 pasme) dhe Duejn Uejd (12 pikë, 11 topa në tabelë, 6 pasime), gjithçka ka qenë më e lehtë për Majemin, edhe pse vendësit iu afruan shumë mrekullisë në periodën e katërt kur rikuperuan një deficit prej 24 pikësh dhe për pak sa nuk kthyen ndeshjen. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Nju Xhersi-Orlando 70-86
Majemi-Filadelfia 84-78
Uashington-Atlanta 88-102
Indiana-Nju Jork 100-115
Toronto-Memfis 114-110
Portland-Çikago 100-89
San Antonio-Oklahoma 114-105
Detroit-Feniks 101-109
Boston-Sakramento 95-120
Miluoki-G. Steit 120-98
Minesota-LA Leikërs 92-97
Saturday, 17 March 2012 09:02