Skuadra e Kliveland ka dhuruar surprizën e natës në NBA duke fituar në fushën e Oklahomas me rezultatin 96-90. Kairi Irving, i cili deri tani kryeson renditjen për çmimin “Lojtari i Vitit” mes debutuesve, ka qenë në një formë shumë të mirë duke arritur të organizojë skuadrën e tij në mënyrë perfekte përballë kryesuesve të Konferencës së Perëndimit, ndërsa regjistroi 9 pikë 12 pasime e 6 topa në tabelë. Por i rëndësishëm ishte fakti se 5 lojtarë të tjerë të kësaj skuadre arritën të shënon mbi 10 pikë, të udhëhequr nga Antoun Xhemison me 21 pikë. Nga ana tjetër, Durant u shfaq në formën e tij të zakonshme me 23 pikë, 8 topa në tabelë e 8 pasime, ndërsa Uestbruk nuk ishte në formën më të mirë duke u ndalur në 19 pikë 4 pasime.
Ndërkohë, Kobi Brajant vazhdon sfidën e tij me historinë, duke kaluar kuotën e 29 mijë pikëve të shënuara në karrierë gjatë sezonit të rregullt në NBA. Ylli i LA Leikërs u bë lojtari i 5-të në histori që kalon këtë kuotë, gjatë fitores 105-102 ndaj Minesotas, ku ai shënoi 34 pikë. Katër basketbollistët që e kanë arritur këtë kuotë para tij janë ata që cilësohen më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave: Karim Abdul-Xhabar, Karl Malon, Majkëll Xhordan dhe Uilt Çambërlein.
Humbja i kushtoi rëndë Minesotas për dy arsye: e para se humbi vendin e 8-të në renditjen e Konferencës së Perëndimit ku tashmë janë 8 ekipe që luftojnë për 3 vendet e fundit. E dyta është se organizatori Riki Rubio ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju në sekondat e fundit, që mund ta detyrojë atë të mbyllë sezonin para kohe. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Utah-Sakramento 91-104
Nju Xhersi-Sharlot 83-74
Atlanta-Detroit 85-86
Porland-Boston 86-104
Kliveland-Oklahoma 96-90
LA Leikërs-Minesota 105-102
Nju Jork-Miluoki 114-119
LA Klipërs-San Antonio 120-108
Nju Orlins-Denver 97-110
Dallas-Sakramento 97-110
Saturday, 10 March 2012 09:02