Indiana ka arritur të bëjë surprizën duke mundur Majemin me rezultatin 78-75 në fushën e këtyre të fundit duke barazuar serinë në 1-1 dhe duke marrë një avantazh të rëndësishëm pasi tashmë ka faktorin e fushës s në kahun e saj. Duke patur parasysh mungesën e Kris Bosh, plani i Indianas ishte i thjeshtë, të linte të lirë Xhejms e Uejd, ndërsa do të bllokonin të gjithë lojtarët e tjerë të Majemit. Taktika funksionoi në mënyrë perfekte pasi Xhejms (28 pikë, 9 topa në tabelë, 5 pasime) dhe Uejd (24 pikë, 6 topa në tabelë, 4 pasime) zhvilluan një ndeshje të zakonshme, por asnjë prej basketbollistëve të tjerë të Majemit nuk e kaloi kuotën e 5 pikëve. Nga ana tjetër, Indiana shfrytëzoi lojën e ekipit, me 4 lojtarë që shënuan 10 a më shumë pikë, dhe 3 që kapën të paktën 10 topa në tabelë.
Ndeshja e parë mes San Antonios dhe LA Klipërs ka shkuar sipas parashikimeve, me ekipin teksan që ka fituar lehtësisht falë paraqitjes së shkëlqyer të “veteranëve”. Tim Dankan ka qenë i jashtëzakonshëm me 26 pikë e 10 topa në tabelë, ndërsa Xhinobili shtoi 22 pikë e Parker 11 pasime. Forma jo e mirë për shkak dëmtimesh e Kris Pol dhe Bleik Grifin ndikuan shumë në lojën e kalifornianëve dhe lojtari më i mirë në fushë ishte zëvendësuesi Erik Bledso me 23 pikë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Indiana (1)-Majemi (1) 78-75
LA Klipërs(0)-San Antonio(1) 92-108
Sonte
Boston (1)-Filadelfia (1)
LA Leikërs (0)-Oklahoma (1)
Wednesday, 16 May 2012 11:40