LeBron Xhejms ka hyrë në historinë e NBA duke u bërë lojtari më i ri që shkruan emrin mes 50 pikëshënuesve më të mirë të basketbollit amerikan, falë 30 pikëve (6 topa në tabelë, 5 pasime) të shënuara kundër Çikagos. Por as ylli i Majemit nuk ka mundur të evitojë humbjen 96-86 të skuadrës së tij përballë vendasve në kohën shtesë, ndonëse Derrik Rouz ka qenë në një formë shumë të keqe duke shënuar vetëm 2 pikë. Ka qenë pikërisht zëvendësuesi i tij, C. J. Uotson, ai që ka vendosur fatet e ndeshjes me gjuajtjet për tri pikë, ku vendimtar ishte koshi që barazoi rezultatin kur kishin mbetur 2.2 sekonda lojë deri në fundin e kohës së rregullt. Ky rezultat i jep mundësinë Çikagos të rritë në 4 ndeshje avantazhin ndaj Majemit që e ndjek në renditjen e Konferencës së Lindjes.
Ndërkohë, San Antonio ka treguar forcën e vet përballë Memfis, duke mundur këtë të fundit me rezultatin 107-97 falë një paraqitje të jashtëzakonshme të Tim Dankan, i kthyer në formën e viteve më të mira. Ylli 35 vjeçar i teksanëve shënoi 28 pikë e 12 topa në tabelë, duke bërë që skuadra e tij të harronte humbjen përballë LA Leikërs të një nate më parë. Lojtarët e San Antonios kanë bërë të ditur se në ndeshjet e mbetura do të synojnë të marrin kryesimin e Konferencës së Perëndimit, ku aktualisht ndjekin me një ndeshje më pak Oklahoman, por kanë një kalendar shumë të vështirë pasi në 8 takimet e fundit të sezonit të rregullt luajnë dy herë kundër Feniks dhe dy herë kundër LA Leikërs. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Detroit-Sharlot 109-85
LA Klipërs-Minesota 95-82
Majemi-Çikago 86-96
Memfis-San Antonio 97-107
Dallas-Golden Steit 112-103
Friday, 13 April 2012 08:03