Denver ka arritur të mundë lehtësisht Çikagon në fushën e kësaj të fundit duke përfituar maksimalisht nga mungesa e Derrik Rouz. Taj Louson ishte protagonisti i mbrëmjes me 27 pikë e 9 topa në tabelë, ndërsa 5 lojtarë të Denver shënuan 10 apo më shumë pikë. Nga ana tjetër, Çikago nuk ishte aspak ai ekip që kishte arritur të ngjitej deri në majën e NBA, pasi kjo skuadër dukej e pafuqishme në lojën e saj ofensive. Këtë e tregon fakti që lojtarët e stolit shënuan në total vetëm 3 pikë më pak se titullarët, ku pikëshënuesi më i mirë ishte Uotson me 17 pikë.
Një rezultat surprizë ka qenë edhe humbja e Majemit në Indiana. Ekipi i Floridas kishte fituar 3 takimet e mëparshme ndaj kësaj skuadre dhe mendohej se do të merrte edhe sfidën e katërt. Por Indiana ka treguar lojë ekipi për të mbuluar Xhejms (24 pikë) dhe Uejd (24 pikë), forcat kryesore të sulmit të Majemit, duke i detyruar të bënin gabime. Ndërkohë, faza ofensive e vendasve ka qenë thuajse perfekte me 6 lojtarë që kaluan kuotën e 10 pikëve, ku Greinxher ishte shënuesi më i mirë me 25 pikë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Boston-Sharlot 102-95
Orlando-Toronto 117-101
Majemi-Indiana 90-105
Detroit-Uashington 79-77
Miluoki-Nju Jork 80-89
Utah-Nju Xhersi 105-84
Sakramento-Hjuston 106-113
Denver-Çikago 108-91
Nju Orlins-LA Klipërs 85-97
Tuesday, 27 March 2012 08:03