Çikago ka filluar me fitore pjesëmarrjen në play-off duke mundur Filadelfian me rezultatin 103-91, por askush nga kjo skuadër nuk ka festuar pas takimit. Shkak është bërë dëmtimi i radhës i Derrik Rouz, i cili ka këputur ligamentet e gjurit dhe do të mungojë për një kohë të gjatë, duke dëmtuar rëndë shanset e kësaj skuadre për të synuar titullin kampion. Rouz kishte zhvilluar një ndeshje spektakolare deri në ato momente me 23 pikë, 9 topa në tabelë e 9 pasime, por duket se tashmë do të jetë i detyruar t’i nënshtrohet operacionit në gju dhe mund të humbë edhe fillimin e sezonit të ardhshëm.
Majemi i ka besuar tërësisht LeBron Xhejms, i cili ka udhëhequr ekipin e tij në fitoren 100-67 kundër Nju Jork. Kandidati kryesor për MVP ka realizuar 32 pikë duke shënuar pothuajse nga çdo pozicion, ndonëse është vënë në vështirësi nga ndërhyrjet e ashpra të kundërshtarëve të tij. Falë diferencës së thellë të krijuar që në periodën e tretë, Majemi ka patur mundësinë të linte pushim të gjithë titullarët në 12 minutat e fundit të kësaj sfide.
Surpriza e natës ka ardhur nga Indiana ku vendasit janë mundur nga Orlando me rezultatin 81-77. Mendohej se me mungesën e Duajt Hauard, Orlando nuk do të kishte asnjë shans përballë skuadrës që u rendit e treta në Konferencën e Lindjes. Por trajneri Sten Van Gandi ka gjetur zëvendësuesin e tij, Glen Deivis, i cili ka shënuar 16 pikë e 13 topa në tabelë, për të udhëhequr skuadrën drejt një suksesi të pamenduar.
Ndeshja më dramatike ka qenë padyshim ajo mes Oklahomas dhe Dallas e cila është vendosur nga një kosh i Kevin Durant kur kishin mbetur vetëm 1.5 sekonda lojë. Pikëshënuesi më i mirë i NBA realizoi 25 pikë në suksesin 99-98 përballë kampionëve në fuqi të NBA të cilët treguan se kanë ende për të thënë në ndeshjet në vijim. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Filadelfia (0)-Çikago (1) 91-103
Nju Jork (0)-Majemi (1) 67-100
Orlando (1)-Indiana (0) 81-77
Dallas (0)-Oklahoma (1) 98-99
Sunday, 29 April 2012 08:03