Atlanta ka mundur Oklahoman në një ndeshje mjaft të bukur dhe të luftuar, ku protagonisti kryesor ka qenë Xhosh Smith. Ky i fundit ka shënuar 13 nga 30 pikët e tij në periodën e fundit, si dhe ka kapur 7 nga 12 topat në tabelë në këtë periodë për t’i dhënë suksesin 97-90 skuadrës së tij. Ndonëse Kevin Durant ka patur një tjetër natë magjike me 35 pikë e 8 topa në tabelë, edhe ai ka parë me admirim se si Smith çante mbrojtjen e skuadrës së tij apo realizonte një nga zhytjet e vitit mbi një prej mbrojtësve më të mirë të NBA, Serxh Ibaka.
Në ndeshjet e tjera të natës, janë për t’u veçuar dy paraqitje të jashtëzakonshme. E para është ajo e Dirk Novicki që ka shënuar 40 pikë në fitoren e Dallas, duke ndalur serinë prej 4 humbjesh radhazi të kampionëve në fuqi. Paraqitja tjetër për t’u shënuar është ajo e Kevin Lëv, që udhëhoqi Minesotan drejt suksesit ndaj Portland duke shënuar 42 pikë, 10 topa në tabelë e 4 pasime. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Kliveland-Uashington 98-101
Miluoki-Orlando 98-114
Oklahoma-Atlanta 90-97
Detroit-Memfis 83-100
Indiana-Nju Orlins 102-84
Utah-Dallas 96-102
Minesota-Portland 122-110
Sunday, 04 March 2012 09:02