Pakkush e di se flaka më e famshme në botën e sportit është një ide naziste, e shpikur nga armata e propagandës së Gebels për të rritur popullaritetin e Gjermanisë naziste para Lojërave Olimpike të vitit 1936 që u zhvilluan në Berlin.
“Nuk ka patur asnjëherë udhëtim të pishtarit olimpik në Lojërat e vjetra, apo edhe në ato 10 edicionet moderne të zhvilluara para atyre në Berlin”, ka treguar Devid Klei Larxh, autori i librit “Lojërat naziste: Olimpiada e vitit 1936”. “Udhëtimi i pishtarit olimpik ishte një nga gjërat ku nazistët ndikuan në botëkuptimin e Lojërave Olimpike moderne, që ka vazhduar deri në ditët tona”.
Ministria e Propagandës Naziste mendoi se udhëtimi i flakës olimpike nga Greqia për në Berlin do të ndihmonte për të siguruar pamje spektakolare për filmin “Olimpia” që po prodhohej në atë periudhë për të promovuar idealet naziste.
Grekët e lashtë kishin përdorur flakën si pjesë e besimit të tyre ndaj perëndive, por nuk kishte patur asnjëherë një simbolizëm të tillë në Lojërat moderne. Në Amsterdam 1928 dhe Los Anxhelos 1932 kishte patur flakë, po ajo nuk vinte nga Olimpia dhe nuk kishte patur një udhëtim pishtari drejt vendit të zhvillimit të Lojërave.
Nazistët bënë maksimumin për të përdorur këtë eveniment si propagandë, aq sa në ndezjen e pishtarit në Greqi, ambasadori gjerman ia dedikoi atë pikërisht Hitlerit, ndërsa një orkestër luante pa pushim himnin e partisë naziste. Pavarësisht kësaj historie të errët të pishtarit olimpik, me rikthimin e Lojërave Olimpike pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948 në Londër, u vendos që ky element të mbahej dhe kjo traditë të vazhdonte. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 10:01