Skuadra e Seviljes ka konfirmuar se mesfushori Hesus Navas tashmë mund të cilësohet zyrtarisht një futbollist i Mançester Sitit, pasi ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me klubin anglez. Spanjollët lajmëruan në faqen e tyre të internetit se ishte gjetur akordi mes klubeve dhe lojtari do të bëhet pjesë e ekipit të ri sapo të zhvillojë testet mjekësore, ndërsa përflitet se shuma e marrëveshjes është rreth 25 milion euro.
Një ditë më parë ishte vetë futbollisti spanjoll që pranoi admirimin për këtë klub, ku trajneri i ardhshëm do të jetë Manuel Pelegrini.
“Mua më pëlqen shumë Mançester Siti pasi ka lojtarë të mëdhenj. Unë jam i hapur për çdo lëvizje të mundshme. Dua të fitoj më shumë dhe të arrij objektivat që i kam vënë vetes në karrierën time. Mançester Siti ka bërë maksimumin për të më blerë dhe unë i jam mirënjohës për këtë gjë. Unë dua që të fitoj trofe në karrierën time”, tha mesfushori spanjoll.
Navas ka luajtur që në vitin 2003 me ekipin e Seviljes, ndërsa me këtë skuadër ka fituar 2 Kupa UEFA, një Superkupë Evrope, 2 Kupa Mbreti dhe një Superkupë Spanje. Me kombëtaren spanjolle ai ka gëzuar suksese edhe më të mëdha, pasi është shpallur Kampion Bote në vitin 2010 dhe Kampion Evrope në vitin 2012. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 04 June 2013 07:50