Samir Nasri ka etiketuar trajnerin e tij, Roberto Mançinin, si një gënjeshtar, pasi italiani kishte vënë në dyshim një ditë më parë përpjekjet e futbollistit francez gjatë stërvitjes. Lojtari ka kaluar një sezon të vështirë me kampionët e Anglisë, ndërsa trajneri kishte bërë të qartë se mendonte që Nasri kishte ulur ritmin e tij nga vetëkënaqësia.
“Unë jam i ndërgjegjshëm që nuk kam kaluar një sezon të mirë. Ka arsye të ndryshme për një gjë të tillë. Por kur Mançini thotë se unë po stërvitem me 50%, kjo nuk është e vërtetë”, ishte deklarata e lojtarit për “BeIn Sport”.
Francezi më pas ka lëshuar një tjetër thumbim në adresë të trajnerit të tij, duke zgjedhur Arsen Venger para italianit, pasi e cilëson bashkëkombësin e tij një trajner më të mirë.
“Arsen Venger është trajneri më i madh me të cilin kam punuar. Ai është personi që më kupton më shumë se të gjithë, ai më bëri të kuptoja potencialin tim. I jam mirënjohës atij për rolin që ka luajtur në karrierën time. Më vjen keq vetëm që nuk kam folur më shumë me të para se të largohesha. Por nuk pendohem që ika nga Arsenali. Firmosa për Mançester Sitin vetëm për arsye sportive, jo për para”, insistoi futbollisti i cili më pas ka akuzuar drejtuesit e Arsenalit se kishin qenë ata që kishin insistuar për shitjen e tij dhe jo e kundërta, siç është pretenduar shpesh.
“Në atë vit pritej që të largohej Fabregas ose unë. Arsen më tha se nëse Fabregas largohej, unë do të qëndroja. Por Sten Krënke nuk mund të injoronte ofertën e lartë që i bëri Mançester Siti dhe pranoi menjëherë të më shiste”, ishte deklarata e mesfushorit që ndërroi skuadër pasi Siti e pagoi 24 milion paund. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 April 2013 10:22