Paris Sent Zhërmen është gati të blejë Samir Nasri nga Mançester Siti gjatë verës, duke përfituar nga situata e paqartë e mesfushorit francez në radhët e ekipit anglez. Sipas mediave angleze, ka qenë vetë lojtari që ka bërë të qartë se po mendon të largohet, pasi nuk ka më një marrëdhënie të mirë me trajnerin Roberto Mançini.
Kritika publike e trajnerit italian ndaj futbollistit gjatë javës së kaluar mendohet se është ajo që ka sjellë ndarjen përfundimtare mes palëve, pasi Nasri është tronditur nga fakti se ai është marrë si shembull për të treguar problemet e skuadrës.
Kjo situatë ka bërë që drejtori sportiv i PSZH, Leonardo, të hidhet menjëherë në sulm për lojtarin, të cilin e ndjek prej kohësh me vëmendje dhe tentoi që në vitin 2011 ta blinte, atëherë kur ai u largua nga Arsenali drejt Mançester Sitit.
Por tani situata ka ndryshuar dhe lojtari mendohet se u ka thënë miqve të tij se do të ishte “mëse dakord” për një transferim të klubi francez. PSZH nuk ka problem të paguajë rrogën e lartë të Nasri prej 170 mijë paund në javë, ashtu si edhe të paguajë një shumë relativisht të lartë për blerjen e tij nga Mançester Sitit, klub që shpenzoi 24 milion paund për ta marrë dy vite më parë.
Shitja e lojtarit do të përputhej edhe me strategjinë e re të klubit anglez, që kërkon të ulë nivelin e rrogave që paguan, duke larguar futbollistët që janë të panevojshëm dhe deklarata e Mançinit se Nasrti jep vetëm 50% të aftësive të tij, është një sinjal i qartë se francezi është mes të padëshiruarve. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 March 2013 12:43