Çelsi ka marrë një përgjigje të parë negative nga Napoli për shitjen e Edinson Kavanit, pasi klubi italian refuzoi ofertën fillestare për futbollistin uruguaian që iu bë të premten nga emisarët e Murinjos.
Bisedat mes klubeve kanë vazhduar në mënyrë intensive gjatë ditëve të fundit pasi londinezët insistojnë që të ofrojnë një shifër të lartë dhe një lojtar për të siguruar Kavanin. Në ofertën e refuzuar nga Napoli, shifra ishte 40 milion puand si dhe kartoni i portierit të ri belg, Tibo Kurtua, i cili ka shkëlqyer në dy vitet e dhënë huazim te Atletiko Madrid.
Por presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ka hedhur poshtë këtë paketë duke deklaruar se nuk do të lërë lojtarin e tij të largohet për më pak se 53 milion paund që është në klauzolën e kontratës.
Kjo do të eklipsonte rekordin e transferimeve të klubit londinezë, atë të 50 milion paund të vendosur në vitin 2011 me blerjen e Fernando Torres, një futbollist që tashmë do të sakrifikohet për të siguruar të ardhura për blerjen e Kavanit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 08 June 2013 12:01