Luis Nani i është afruar më shumë largimit të tij nga radhët e Mançester Junajtid, pas një incidenti që përfundoi me portugezin duke goditur me grusht një nga lojtarët e rinj të akademisë.
Gjatë stërvitjes, Nani shkëmbeu disa fjalë me lojtarin e rezervave Davide Petruçi, pas një përplasje loje mes të dyve. Portugezi më pas e ftoi 20 vjeçarin italian në palestër për t’u sqaruar, por në vend të fjalëve, të gjithë shokët e skuadrës kanë parë se si ai ka goditur me grusht lojtarin e ri dhe u desh ndërhyrja e të tjerëve që të ndërpritej një zënkë më serioze.
Trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, mendohet se është acaruar shumë me situatën e krijuar dhe po merr në konsideratë idenë e masave disiplinore kundër futbollistit të tij, i cili po kalon një sezon tejet zhgënjyes në javët e para.
Gjatë verës, Mançester Junajtid ishte shumë pranë shitjes së lojtarit 25 vjeçar, por transferimi i tij te Zenit Shën Petersburg për 25 milion paund nuk u realizuar pasi sipas klubit rus, ai kishte shfaqur kërkesa “joreale” për rrogën.
Nani ka një marrëveshje ekzistuese edhe por dy sezonet e ardhshme me Mançester Junajtid, por ka kërkuar një rinovim të saj me përmirësimin e rrogës, pasi pretendon se meriton të paguhet 130 mijë paund në javë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 29 September 2012 13:20