Nani thotë se ky sezon ka qenë më i qëndrueshmi për të te Manchester United.
Anësori i “Djajve të Kuq” u votua si i dyti në anketën e tifozëve për çmimin historik “Lojtari i Vitit Sir Matt Busby”, me vetëm një për qind prapa fituesit Javier Chicharito Hernandez.
“Ky ka qenë sezoni im më i qëndrueshëm për United. Çdo vit që kam qenë këtu jam përmirësuar dhe ky ishte një sezon fantastik për mua. Kam krijuar shumë gola dhe kam shënuar më shumë se vitin e kaluar, andaj jam i lumtur. Shpresoj t’ia dal më mirë sezonin e ardhshëm”, tha Nani.
Anësori i Manchester United, Nani, ka deklaruar se menaxheri Sir Alex Ferguson është “fajtori” për sukseset dhe formën e jashtëzakonshme të portugezit.
“Ai ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Të gjithë e dinë, që nga ardhja ime te United se sa mundësi më ka dhënë ai. Ai është njeriu më i rëndësishëm në karrierën time”.
“Nëse po luaj mirë për momentin, atëherë është për shkak të tij dhe mundësive që ai m’i ka dhënë. Dhe nëse po shfaqi lojë edhe më të mirë se sa që di, atëherë edhe kjo është për shkak se ai më ka motivuar për këtë”, u shpreh Nani.
Ndërkohë edhe ylli i Barcelonës, Lionel Messi duket se nuk është fare i brengosur pse Ronaldo është duke e tejkaluar në ranglistën e realizatorëve, pasi preferon t’ua rekomandojë drejtuesve të klubit dy sulmuesit për sezonin e ardhshëm, e më të përshtatshmit për “jashtëtokësorin” argjentinas janë Javier Hernandez Chicharito dhe Rooney.
“Hernandez do të na përshtatej. Ai flet spanjisht dhe ka stil të mrekullueshëm. Është e vështirë të parashikohet çfarë do të bëjë ai gjatë duelit dhe kjo është fuqia jonë”.
“Rooney po ashtu do të ishte përforcimi më i mirë i mundshëm. Ai ka luajtur në nivelet më të larta viteve të fundit dhe jam shumë i sigurt se stili i tij në çdo moment do të përshtatej me futbollin spanjoll, e kemi parë të gjithë se çfarë jep në fushë ai”, tha Messi.
Në anën tjetër, sulmuesi i Manchester United, Javier Hernandez, ka fituar çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Sir Matt Busby” dhe është shprehur i ngazëllyer me këtë arritje në sezonin e tij të parë me “Djajtë e Kuq”.
Çmimi zgjidhet nga fansat rreth e qark botës në faqen zyrtare të klubit dhe nderon lojtarin më të mirë të United për sezonin 2010/11.
“Më duhet t’i falënderoj aq shumë fansat. Ata më kanë ndihmuar mua shumë. Mendoj se ka qenë një vendim i vështirë për t’u marrë dhe nuk mendoj se e kam merituar atë pasi nuk ka qenë vetëm një lojtar që ka luajtur mirë. Ne jemi një ekip”.
“Kam ëndërruar për të luajtur me Manchester United dhe kam menduar se në sezonin tim të parë do të luaj për rezervat me ndoshta disa minuta në ekipin e parë. Por, duke falënderuar bosin dhe të gjithë bashkëlojtarët kam luajtur ca më shumë”, ka thënë Chicharitto.
Friday, 20 May 2011 09:59