Rafael Nadal nuk do të ketë mundësinë të mbrojë medaljen e artë të marrë në Pekin 2008, pasi tenisti ka dhënë aforfe për Lojërat Olimpike të këtij viti, për shkak të një dëmtimi.
Sportisti që ishte caktuar edhe si mbajtësi i flamurit për Spanjën dhe ishte padyshim pretendent kryesor për të fituar medalje, ka zbuluar gjithçka vetë në një komunikatë për shtyp.
“Nuk e shoh veten në gjendje për të konkurruar. Ky është një nga momentet më të trishtuara të karrierës time”, ishin fjalët e tenistit.
“Në këtë moment më duhet të mendoj për shokët e mi, nuk duhet të jem egoist. Mendoj për të mirën e sportit në Spanjë dhe për këtë arsye preferoj që në Lojërat Olimpike të shkojë një shoku im që është në gjendje më të mirë për të konkurruar. Bëra maksimumin deri në sekondat e fundit, por nuk ishte e thënë që të merrja pjesë në këtë aktivitet”, tha Nadal.
“E përsëris, sot është një nga ditët më të trishtuara të karrierës time, pasi prisja momentin e veçantë kur në ceremoninë e hapjes do të parakaloja me flamurin e Spanjës. Ndaj duhet ta kuptoni sa i vështirë ishte ky vendim”, tha Nadal, i cili ka anuluar edhe një ndeshje ekzibicioni në stadiumin “Santiago Bernabeu” kundër Novak Xhokoviç për shkak të këtij dëmtimi. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 July 2012 08:01