Me datë 6 mars, Real Madrid feston 100 vjetorin e krijimit dhe për këtë arsye, gjatë këtij viti ka organizuar evenimente të ndryshme, mes të cilave spikat një shumë i veçantë, sfida Rafael Nadal-Roxher Federer. Dy tenistët do të vihen kundër njëri-tjetrit me datë 14 korrik, ndërsa “arena” do të jetë as më shumë e as më pak po vetë stadiumi “Santiago Bernabeu”.
Ndeshja miqësore në fjalë është përllogaritur të jetë mes dy evenimentesh të rëndësishme ndërkombëtare, Turneut të Uimbëlldon (përfundon me 8 korrik) dhe Lojërave Olimpike (fillojnë me 27 korrik).
Aktiviteti që ka titulli “Alma Nadal”, do të tentojë të thyejë rekordin “Guinness” të shikuesve në një ndeshje tenisi, të vendosur në vitin 2010 nga Kim Klajsters dhe Serena Uilliams në Bruksel. Për këtë arsye, përveç tribunave të stadiumit, do të ndërtohen shkallare të tjera edhe në fushë, ndërsa çmimi i biletës për spektatorët do të jetë i ulët për të nxitur pjesëmarrjen masive.
Kjo do të jetë hera e 6-të kur Nadal e Federer vihen përballë njëri-tjetrit në “ndeshje miqësore”. Dy tenistët janë shokë të ngushtë dhe zvicerani ka pranuar menjëherë ftesën e Nadal, i cili ka bërë të ditur se është një tifoz i zjarrtë i Realit të Madridit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 March 2012 10:35