Rafael Nadal, ashtu si i gjithë opinioni sportiv, ka mbetur plotësisht i zhgënjyer nga vendimi i dhënë nga gjykata spanjolle rreth provave në operacionin “Puerto”, si dhe vendimin për të shkatërruar qeset me gjak dhe provat e tjera pa njohur më parë se kush ishin sportistët që kishin marrë doping.
“Në këtë rast po flasim për Spanjën dhe sigurisht që nuk është imazhi më i mirë që mund të japim për veten. Por gjëja pozitive është që të paktën po flitet rreth kësaj teme. Gjithsesi, mendoj se është e padrejtë që nuk publikohen emrat e atyre që kanë mashtruar, do të kisha dashur që ata ta ndjenin përbuzjen e atletëve të tjerë”, u shpreh tenisti i njohur spanjoll.
“Kjo zgjidhje nuk ka qenë pozitive për askënd, ndërsa ka avantazhuar vetëm mashtruesit, ata që kanë bërë lojë të pisët”, deklaroi ish-numri 1 në botë, i cili më pas foli për sportin e mirëfilltë dhe pjesëmarrjen e tij në turneun Masters në Madrid.
“Pres me padurim të zbres në fushë para njerëzve të mi. Nëse shtatë muaj më parë, kur u ktheva të luaja pas problemeve shëndetësore që kalova, do të më kishin thënë se do të shkoja në 6 finale duke fituar 4 prej tyre, do t’i kisha quajtur të çmendur”, tha ai, duke iu referuar riaftësimit të plotë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 04 May 2013 11:01