Mançester Junajtid është skuadra e radhës që interesohet për shërbimet e futbollistit portugez Zhoao Mutinjo. Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat angleze, “djajtë e kuq” kanë kontaktuar me Porton duke kërkuar të blejnë mesfushorin organizator nga radhët e kësaj skuadre.
Oferta prej 25 milion paund do të dorëzohet zyrtarisht në ditët në vazhdim, gjë që do të thotë se Aleks Ferguson nuk ka më ndërmend të presë kroatin Luka Modriç të Totenhem.
Mediat angleze insistojnë se Modriç ishte zgjedhja e parë për Junajtid, që kishte bërë gati 30 milion paund për futbollistin. Por Totenhem tani kërkon 40 milion puand dhe Ferguson nuk ka ndër mend të paguajë një shumë të tillë.
Si rrjedhojë, ai ka preferuar 25 vjeçarin Mutinjo, i cili do t’i bashkohej shokut të kombëtares, Nani, në radhët e ekipit anglez.
Megjithatë, për futbollistin po interesohen gjithnjë e më shumë edhe vetë Totenhem me Çelsin, ndaj Ferguson kërkon të mbyllë gjithçka brenda pak ditësh, në mënyrë që Porto të mos hapë ankand për shitjen e tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 July 2012 10:50