Zhoze Murinjo është shfaqur sot në Londër duke çuditur të gjithë me praninë e tij në ndeshjen që përcakton ngjitjen në Premier mes Kristal Palas dhe Uotford. Trajneri portugez u pa fillimisht sot në mëngjes, disa qindra metra larg stadiumit “Stemford Brixh”, ku u fotografua nga disa tifozë.
Më pas, ai u shfaq në stadiumin “Uembli”, për të ndjekur ndeshjen që përcakton kush ngjitet në Premiership në sezonin e ardhshëm, atë mes Kristal Palas dhe Uotford. Murinjo duket se ka qenë në stadium për të ndjekur nga afër një futbollist të ri të huazuar te Uotford nga Çelsi, Nataniel Çalobah, ndërsa duhet të marrë vendimin nëse do ta mbajë në skuadër pasi të marrë drejtimin e londinezëve apo të vazhdojë ta huazojë në një klub tjetër.
Tashmë është e ditur botërisht se trajneri portugez do të braktisë Real Madrid në fund të sezonit, falë një marrëveshje të zyrtarizuar nga vetë presidenti i klubit spanjoll, Florentino Perez. Por të gjithë prisnin që tekniku portugez të respektonte kontratën e tij deri në qershor e më pas të fillonte të punonte për klubin e ri. Ndoshta kjo është arsyeja pse Serxhio Ramos ka kritikuar sot trajnerin duke thënë se madrilenët kishin nevojë për një njeri të përkushtuar që besonte te skuadra.
“Çdokush zgjedh të ardhmen e tij por nuk mendoj se Murinjo u largua për shkak të trysnisë. Ai është një nga trajnerët më të mirë në botë dhe më ka ndihmuar si të bëhem më konkurrues. Cilin trajner duam tani? Presidenti nuk ka nevojë të na pyesë ne por mendoj se na duhet një trajner që ka besim në grupin e lojtarëve që ka”, ishte shigjeta e tij drejtuar Murinjos, i cili dihet që në këtë vit ka pasur përplasje të vazhdueshme me shumë prej lojtarëve kryesorë të ekipit. (LajmeShqip.com)
Monday, 27 May 2013 18:15