Zhoze Murinjo kërkon që të kthejë Çelsin në një skuadër superofensive në sezonin e ardhshëm dhe për këtë arsye, ka filluar negociatat për blerjen e menjëhershme të tre lojtarëve në repartin e avancuar.
Mediat angleze kanë zbuluar se falë udhëzimeve të trajnerit portugez, kanë nisur bisedimet për lojtarin e Napolit, Edinson Kavani, i cili vlerësohet rreth 50 milion paund. Më pas, blutë kanë bërë një tjetër ofertë zyrtare, duke kërkuar nga Zenit Shën Petersburg sulmuesin brazilian Hulk, për të cilin ofrojnë 34 milion paund. Ndërsa lëvizja e tretë është ajo për malazezin e Fiorentinës, Stevan Jovetiç, i cili i intereson shumë teknikut portugez dhe që mendohet se kushton rreth 25 milion paund.
Murinjo ka besim se mund të nënshkruajë me Jovetiç, pavarësisht interesimit të Juventusit, ndërsa ka një “ankand” të hapur për Kavanin, i cili i intereson ish-skuadrës së tij, Real Madrid. Uruguaiani i intereson edhe Mançester Sitit, që është gati të përfshijë në klauzolë edhe boshnjakun Edin Xheko, ndonëse kjo lëvizja duket shumë pak e mundshme.
Nëse këto transferime të Çelsit realizohen me sukses, duket e qartë se Fernando Torres e Demba Ba duhet të nisin kërkimet për një skuadër të re, ndërsa Oskar dhe Huan Mata me shumë mundësi do të pësojnë një ndryshim rrënjësor në rolin e tyre në manovrën ofensive. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 June 2013 14:02