Zhoze Murinjo duket se ka vendosur që të mos prekë Kristiano Ronaldon dhe të mos e ndëshkojë këtë të fundit, pavarësisht debatit që është zhvilluar mes të dyve pas ndeshjes së Kupës së Mbretit kundër Valencias.
Pasi Murinjo e kritikoi lojtarin se “ishte fshehur” në 15 minutat e fundit të ndeshjes, duke mos marrë përgjegjësi, portugezi reagoi ndaj trajnerit të tij. “Nuk është e drejtë të më kritikosh, ti e di që unë jap jetën për ty në fushë”, kanë qenë fjalët e Kristiano Ronaldos në sytë e shokëve të ekipit.
Për një situatë të ngjashme në sezonin e kaluar, Murinjo e ndëshkoi futbollistin duke e ulur në stol. Asokohe, pas ndeshjes kundër Barcelonës, Ronaldo u shpreh se nuk i pëlqente mënyra se si luante Reali kundër katalanasve, por duhet të përshtatej me të. Si rrjedhojë, në ndeshjen e radhës, ai përfundoi në stol kundër Real Saragozës, duke marrë mesazhin se vendimet e trajnerit ishin të padiskutueshme.
Por Murinjo e di që tashmë nuk ka luksin ta përsëritë një gjë të tillë, pasi do të thoshte të largonte nga skuadra të vetmin futbollist që po shfaqet në të njëjtat nivele si në sezonin e kaluar. Për më tepër, ai nuk dëshiron që të prishë më shumë marrëdhëniet që mbeten të acaruara me tifozerinë që nga momenti kur vendosi të ulë në stol Iker Kasijas.
Tekniku edhe dje ka refuzuar të dalë në konferencë për shtyp, ndërsa është larguar nga fusha e stërvitjes para mbarimit të saj, duke preferuar që të shkojë të shohë ndeshjen që luante djali i tij më ekipin e fëmijëve të Kanilas. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 January 2013 12:12