Zhoze Murinjo është shfaqur përsëri sot para gazetarëve, një gjë e rrallë duke pasur parasysh se kjo ishte hera e tretë brenda më pak se një jave, pas muajve radhazi ku paraqitjet e tij ishin të kufizuara vetëm para dhe pas ndeshjeve të Ligës së Kampioneve. Por tekniku portugez duket se këto paraqitje ka vendosur t’i shfrytëzojë për të mbrojtur veten nga kritikat që kanë ardhur në adresë të tij në kohët e fundit, gjithmonë përsa i përket çështjes së Iker Kasijas dhe mosaktivizimit të tij.
I pari që ka përfunduar në shënjestrën e portugezit ishte Andres Iniesta, i cili i kishte dalë në mbrojtje Kasijas, me të cilin ka miqësi falë aktivizimit në kombëtare.
“Iniesta është i lirë të thotë atë që mendon apo dëshiron, edhe pse personalisht mendoj se ai duhet të shqetësohet për klubin e tij dhe për shokët e skuadrës dhe pse kur nuk është Mesi në lojë, skuadra e tij është aq e ndryshme sa bëri atë që bëri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve pa Mesin”, ishte batuta e Murinjos, që nuk kursehet asnjëherë kur bëhet fjalë për të kritikuar lojtarët e Barcelonës.
Më pas, radhën e ka pasur një lojtar i tij, portugezi Pepe, i cili kishte vlerësuar si mungesë respekti fjalët e Murinjos në adresë të Kasijas.
“Është shumë e thjeshtë të analizosh fjalët e Pepe. Problemi i tij ka një emër, është Rafael Varane dhe që këtu nuk ke nevojë për më shumë histori. Nuk ke nevojë të jesh shumë inteligjent, mjafton të jesh një person normal si unë që të kuptosh se në rastin e tij bëhet fjalë për stres. Nuk është e lehtë për një 31 vjeçar që ka një të kaluar të madhe që të tejkalohet nga një djalosh 19 vjeçar. Bëhet fjalë për një djalosh fantastik dhe unë kisha kurajën ta aktivizoja këtë djalë. Ndaj problemi është shumë i thjeshtë, pasi jeta e Pepe ka ndryshuar. Ai ishte titullar i padiskutueshëm dhe tani nuk është më. Ndaj e kuptoj stresin e Pepe nëpërmjet fjalëve që ka thënë. E di që nuk është një situatë e lehtë por jam treguar i ndershëm dhe besoj, ashtu si pjesa më e madhe e personave të tjerë, se e ardhmja e Realit është Varane me Serxho Ramos”, tha ai.
Në fund, Murinjo lëshoi një mesazh shumë të qartë në adresë të Iker Kasijas, ndërsa çuditi edhe gazetarët duke aluduar se mund të vazhdonte të qëndronte te kjo skuadër.
“Kam planifikuar se do të qëndroj te Real Madrid. Për ata që marrin vesh, unë jam trajneri dhe paguhem për të qenë i tillë. Një trajner ka detyra të caktuara, mes të cilave edhe për të përzgjedhur kush luan. Këto zgjedhje nuk i bëj duke hedhur monedhën, por duke analizuar me orë e ditë të tëra. Mua më pëlqen më shumë si portier Diego Lopez se Iker Kasijas. Më pëlqen një portier që luan mirë me këmbët, dominon në ajër dhe është një fenomen mes shtyllave. Për sa kohë që të jem trajner i Real Madrid, do të luajë Diego Lopez”, ishte mesazhi i Murinjos. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 May 2013 15:52