Zhoze Murinjo ka bërë ndër të paktat herë në karrierën e tij një autokritikë të mirëfilltë në një konferencë për shtyp, duke pranuar se ai dhe skuadra e tij aktualisht nuk po përjetojnë një moment pozitiv. Para ndeshjes së nesërme me Malaga, trajneri portugez ka folur me nota optimiste për të ardhmen, duke premtuar se të gjithë do të përmirësojnë diçka në mënyrë që të kthehet përsëri skuadra e pandalshme e sezonit të kaluar.
“Unë ndjehem pjesë e këtij grupi. Kam qenë në gjendje që të motivoj ekipin që në ditën e parë të javës të punojë dhe ta bëjë një gjë të tillë me më shumë energji dhe motivim se një javë më përpara. Humbja nuk është pjesë e eksperiencës sime”.
“Nuk e dija që nesër luaj ndeshjen e 400-të në kampionatet kryesore dhe për më tepër që kam më pak se 40 humbje. Unë thjesht jam përshtatur me çdo vend ku kam qenë dhe nuk ka pasur asnjëherë zgjidhje tjetër përveçse të punoj dhe këtë do të bëj edhe në të ardhmen, duke synuar 400 ndeshje të tjera me po aq suksese. Të gjithë së bashku duhet të provojmë të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të përmirësohemi. E përsëris që nuk jemi të kënaqur me rezultatet e ndeshjeve të fundit”, ishte pohimi i portugezit.
“I kujt është faji? Faji është i të njëjtëve që fituan titullin kampion. Nëse gjeni se kush ishin fajtorë në sezonin e kaluar, atëherë keni gjetur fajtorët edhe të këtij edicioni”, vijoi ai, duke bërë në fund edhe një batutë për Rafael Banitez, i cili kishte aluduar në një intervistë të dhënë për mediat spanjolle se ai mund të bëhej zëvendësuesi i Zhoze Murinjos në stolin e madrilenëve.
“Nuk e di se ku do të shkojë Benitez dhe as që më intereson. Si një tifoz i Çelsit, shpresoj që gjatë ndeshjes kundër Korinthians të mos ketë qenë duke menduar për Real Madrid”, ishte thumbimi që lëshoi ai në adresë të trajnerit spanjoll, i cili humbi pak ditë më parë finalen e Botërorit të Klubeve në drejtimin ekipit anglez. (LajmeShqip.com)
Friday, 21 December 2012 20:45