Zhoze Murinjo nuk e sheh si një dështim një eliminim të mundshëm në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, por mendon se ka ardhur koha që futbolli të tregohet i drejtë me lojtarët e tij dhe t’i kthejë borxhin e eliminimeve të padrejta futbollistëve madrilenë.
“Kur erdha te Reali, kjo skuadër kishte 9 Liga Kampionesh, por nuk ishte në vazon e parë në short, ishte skuadra e 11 apo 12. Sot është kokë grupi dhe ekipi i tretë në renditje. Jemi përmirësuar ndjeshëm nga pikëpamja ekonomike duke pasur parasysh se është një klub që jeton falë të ardhurave të biletave. Por në këtë klub të përfundosh i dyti nuk është e mjaftueshme dhe duhet bërë maksimumi për të shkuar në finale dhe për ta fituar atë”.
“Unë kam besim, pasi kam lojtarë shumë të mirë në nivel individual dhe kolektiv. Do të doja shumë që futbolli të shlyente borxhin me këta njerëz. Me përjashtim të pak prej tyre, pjesa më e madhe nuk ka fituar asnjëherë Ligën e Kampioneve. Do të doja që futbolli të vinte drejtësinë në vend, pasi në dy vitet e fundit jemi eliminuar në mënyrë të padrejtë dhe herën e fundit ishin penalltitë që na nxorën”, tha trajneri portugez.
Murinjo ka preferuar të evitojë komentet e radhës rreth Kasijas e për t’i mbyllur gojën gazetarëve ka publikuar të gjithë formacionin titullar për sfidën e nesërme.
“Në portë luan Diego. Në mbrojtje: Serxhio, Pepe, Varane e Koentrao, pastaj janë Ksabi, Khedira, Higuain, Ozil dhe Kristiano. Shpresojmë që të mund të luajë Di Maria, pasi ka kaluar një ditë të vështirë sepse lindi vajza e tij, shpresoj të ketë dëshirën për të luajtur”, ishte komenti i tij duke mbyllur këtë temë.
Ai nuk ka preferuar as të flasë për temën e ditës, transferimin e Mario Gëtze te Bajern Mynih dhe nëse ajo do të ndikojë te paraqitja e Borusia Dortmund.
“Nuk e njoh Mario Gëtze, as mentalitetin dhe as kulturën e Borusia Dortmund. Nuk ia kam idenë nëse ky lajm mund të sjellë pasoja pozitive apo negative”, deklaroi Murinjo.
Tuesday, 23 April 2013 19:57