Zhoze Murinjo kërkon të marrë Luka Modriç nga Real Madrid, për të kthyer në yllin e mesfushës së Çelsit në sezonin e ardhshëm. Lajmi i publikuar nga “The Sun” ka gjetur konfirmim në burimet brenda klubit londinez, që prej vitesh është munduar të firmosë me kroatin por pa sukses.
Drejtuesit e Çelsit, falë udhëzimeve të Murinjos, kanë bërë gati që tani një ofertë prej 30 milion paund, aq sa Reali pagoi më pak se një vit më parë për futbollistin në mënyrë që ta merrte nga Totenhemi.
“Murinjo insiston që të arrihet kjo marrëveshje për Modriç. Ai e di që do të jetë e vështirë por nëse ekziston një person që mund të realizojë marrëveshje të tilla, ai është Murinjo”, ka shpjeguar një burim brenda klubit anglez.
Transferimi do të ndihmonte edhe Modriç gjithashtu, pasi 27 vjeçari kroat nuk ka bindur në vitin e tij të parë në Spanjë dhe në sondazhet e organizuara nga mediat sportive spanjolle, është cilësuar si blerja më e dështuar e sezonit të kaluar. Ky vlerësim negativ erdhi për faktin se ai shënoi vetëm 3 gola në 31 ndeshje me Realin, duke qëndruar pjesën më të madhe të kohës në stol dhe duke mos qenë vendimtar në ndeshjet ku luajti titullar. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 08:54