Trajneri i Realit të Madridit, Zhoze Murinjo, ka treguar se ka mbetur i zhgënjyer me gjykimin e ndeshjes që skuadra e tij barazoi me Malagan. Sipas teknikut portugez, gjyqtari Aiza Gamez ka vepruar gabim duke mos dhënë dy penallti, vendime të cilat në fakt janë krejtësisht të drejta, sipas opinionit edhe të mediave që mbështetin Real Madrid.
“Nuk dua të kritikoj gjyqtarët, por ai duhej të na kishte dhënë ne dy penallti të mëdha. Por edhe kjo është pjesë e kampionatit. Nuk kam arsye pse të jem kritik, pasi është normale të humbësh dhe barazosh herë pas here. Do të kisha kritikuar sikur të kishim luajtur keq, por nuk është ashtu”, ishin fjalët e Murinjos.
Më i ashpër ka qenë reagimi i Kristiano Ronaldos, i cili ka akuzuar gjyqtarin se kishte frikë të jepte penallti në favor të tyre. “Ai ishte i butë në drejtim ndaj ndërhyrjeve kundër nesh. Ai ishte i frikësuar të vërshëllente disa vendime kundër nesh, por nuk dua ta gjykoj atë pasi mendoj se po bënte maksimumin e mundshëm”, tregoi futbollisti i madrilenëve.
Pretendimet e padrejta të madrilenëve kanë vënë në siklet mediat që mbështetin këtë skuadër si “Marca” e “As” të cilat kanë zhdukur nga faqet e tyre tç internetit komentet e specialistëve që i cilësonin dy vendimet e gjyqtarit për të mos dhënë penallti si të drejta. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 March 2012 12:03