Zhoze Murinjo nuk dëshiron që lojtarët e tij të shpërqendrohen duke menduar për ndeshjet e Kupës së Mbretit kundër Barcelonës e për këtë arsye ka bërë të qartë se objektivi vazhdon të jetë titulli kampion në Spanjë.
“Ne luajmë ndeshjen kundër Majorkës dhe nuk ka kuptim që të më pyetni për “hakmarrje” kundër Barcelonës”, ishte komenti i tij për gazetarët, duke bërë të qartë se nuk dëshironte të fliste për Kupën.
Trajneri portugez ka treguar se gjatë merkatos së janarit nuk do të ketë asnjë ndryshim në skuadër. “Situata e Kaka nuk ka ndryshuar. Nuk kemi ndërmend as të blejmë, as të huazojmë e as të shesim”, tha Murinjo duke mbyllur praktikisht merkaton për klubin.
Më pas, ai i është kthyer temës së kampionatit. “Prioriteti ynë është Liga. Ndeshja jonë më e rëndësishme është ajo e Majorkës pasi duhet të bëjmë sa më shumë pikë për të evituar që kundërshtari direkt të na arrijë. Kjo është ndeshja më e vështirë. Kur të vijë koha do të mendojmë edhe për Kupën”, deklaroi Murinjo, i cili në fundin e konferencës u nxeh me gazetarët që aludonin për formën e dobët të Kristiano Ronaldos dhe nuk pranoi t’u përgjigjej. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 January 2012 18:11