Trajneri i Real Madrid, Zhoze Murinjo, ka hedhur poshtë të gjithë artikujt e shfaqur në media se ka folur me drejtuesit e Mançester Sitit rreth mundësisë për t’u transferuar te kjo skuadër në verën e ardhshme.
Gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes me Osasunan, Murinjo ishte i prerë në komentin e tij, duke treguar se vazhdon të jetë një trajner i madrilenëve.
“Nuk kam arsye pse të flas rreth vazhdimësisë time apo jo te kjo skuadër. Më kanë mbetur edhe dy vite në kontratë dhe nuk kam thënë asnjëherë se nuk do të qëndroja këtu pas fundit të sezonit”.
Më pas, atij i është dashur të hedhë poshtë edhe zërat për mosmarrëveshje mes tij dhe portierit Iker Kazijas, i cili, sipas mediave, kundërshton ndarjen në klane portugeze dhe spanjolle brenda skuadrës. “Nuk ka asnjë çështje me Kazijas. Unë nuk kam asnjë problem me të”, ishte përgjigja e prerë e teknikut portugez.
Duke iu kthyer heshtjes për shtyp të imponuar gjatë javës së kaluar nga Real Madrid, Murinjo pranoi se kishte mbetur i çuditur nga reagimi që mediat kishin patur pas këtij vendimi.
“Pas gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve ndaj Barcelonës në vitin e kaluar, ne ju hapëm zemrën dhe u masakruam për atë që bëmë. E njëjta gjë ndodhi edhe në Kupën e Mbretit. Në Vijareal vendosëm të gjithë që të mos flitnim në mënyrë që të mos sanksionoheshim. Neve nuk na pëlqeu ajo që ndodhi por vendosëm të largoheshim në heshtje që të mos shkaktonim polemika”.
“Menduam se po bëjmë diçka pozitive por përsëri u kritikuam. Ndaj problemi nuk është i yni, është i juaji (mediave). Tani ne nuk mund të akuzohemi se krijojmë presion apo se krijojmë polemika”, u shpreh Murinjo para gazetarëve”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 31 March 2012 12:35