Zhoze Murinjo nuk ngurroi të hapte një tjetër polemikë me tifozët e Real Madrid pas fitores së kësaj skuadre kundër Real Sociedad me rezultatin 4-3. Trajneri portugez bëri të qartë se vërshëllimat ndaj tij kur u mësua se kishte lënë përsëri mes rezervave kapitenin Iker Kasijas, ishin thjesht një mungesë e qartë respekti ndaj portierit të dytë të ekipit madrilen.
“Më duket perfekte nëse vërshëllejnë emrin tim para ndeshjes dhe pastaj mbështetin ekipin gjatë saj. Mendoj se stadiumi vërshëllen emrin tim pasi kam ulur në stol Kasijas dhe në kampionat nuk po ecim mirë. Njerëzit vërshëllehen apo duartrokiten në bazë të rendimentit dhe mua më duket se rendimenti nuk ka qenë i mirë. E pranoj nëse më vërshëllejnë për shkak të rendimentit, nuk më pëlqen që të jem gjithmonë heroi”, tha Murinjo i cili më pas lëshoi edhe kritikën e tij në adresë të tifozëve.
“Adan, para fillimit të ndeshjes, i thashë së vërshëllimat që do të dëgjonte, ishin në adresën time, jo ndaj tij. Por sipas mendimit tim, kjo ka qenë një mungesë e thellë respekti ndaj Adan. Ai është një djalë që luan prej 16 vitesh te Reali, që ka lindur në Madrid dhe nuk e meriton një sjellje të tillë ndaj tij. Adan e meriton të jetë i lumtur por nuk e kuptoj pse në Spanjë po ndodh një gjë e tillë. Problemi është që shtypi e ka transformuar një sulm kundër Zhoze Murinjos në një mungesë respekti ndaj Adan dhe kjo është e gjithë situata”, ishte komenti i Murinjos.
Ndonëse ai është vërshëllyer gjatë gjithë ndeshjes nga tifozët e Real Madrid, trajneri portugez ka marrë mbështetjen e yllit të skuadrës, Kristiano Ronaldo, i cili në mënyrë publike shkoi dhe e përqafoi në pankinë pasi shënoi golin e katërt me goditje dënimi. (LajmeShqip.com)
Monday, 07 January 2013 11:34