Zhoze Murinjo ka paralajmëruar skuadrën e tij se nuk do të arrihen suksese nëse ndokush do të tregohet egoist. Trajneri portugez shpreson të kthejë titullin kampion te londinezët, ashtu siç ka bërë kur mori për herë të parë drejtimin e ekipit.
Por këtë radhë, ai ka bërë të qartë se ka rregulla të caktuara për secilin prej lojtarëve që dëshiron të punojë përkrah tij.
“Ekziston një fjali që unë e them gjithmonë në çdo klub që shkoj dhe do ta them përsëri kur të takohem me lojtarët e mi me 10 korrik. Këtë fjali e them gjithmonë në ditën e parë të stërvitjes. Nëse je një profesionist, nëse nuk je egoist, nëse vendos klubin para vetes dhe nëse je këtu për të punuar 100% për mua, për shokët e skuadrës dhe klubin, atëherë bashkë do të kemi një raport të shkëlqyer. Nëse je egoist, nëse nuk mendon për tifozët, atëherë do të kemi probleme bashkë”, ishte mesazhi i qartë i Murinjos.
“Shpesh janë 2-3 lojtarë që nuk janë të gatshëm të pranojnë këto lloj rregullash dhe kështu krijohen disa marrëdhënie problematike. Në këto momente, klubi mbështet trajnerin ose lojtarin problematik. Nëse klubi mbështet trajnerin, dy lojtarët largohen dhe gjithçka bëhet e thjeshtë”, paralajmëroi portugezi. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 June 2013 23:03