Lufta mes Zhoze Murinjos dhe Iker Kazijas vazhdon, duke përjetuar një tjetër etapë të rëndësishme pas përfundimit të “El Clasico” me Barcelonën. Sipas asaj që është shpjeguar në emisionin e njohur sportiv në Spanjë, “Punto Pelota”, trajneri portugez është irrituar shumë me kapitenin e tij, pasi në ndeshjen e të dielës u tregua shumë miqësor me lojtarët e Barcelonës, përkrah të cilëve doli nga fusha e “Kamp Nou” duke buzëqeshur.
Sipas të njëjtit burim, një person në avion gjatë kthimit në Madrid ka pyetur Murinjon nëse e kishte parë një skenë të tillë pas përfundimit të ndeshjes. “Herën tjetër të shkojë me ata!”, ishte përgjigja e menjëhershme e trajnerit portugez që la të kuptonte se nuk i pëlqente një sjellje e tillë.
Mendohet gjithashtu që edhe akuzat që kanë lindur ndaj portierit sikur ai nuk ka dhënë maksimumin në rastin e golit të Mesit me goditje dënimi, kanë dalë nga persona pranë Murinjos, i cili po mundohet në të gjitha mënyrat që të diskreditojë figurën e Kazijas.
Problemet kanë filluar që një vit më parë, pas debatit publik që ata patën në stërvitje pas një humbje, ku Kazijas dhe Ramos iu kundërvunë teknikut portugez. Lojtarëve spanjollë të Realit nuk i pëlqen fakti që Murinjo po mundohet në të gjitha mënyrat që t’i armiqësojë me bashkëkombësit e tyre katalanas që luajnë në kombëtaren e Spanjës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 October 2012 14:10