Nga Spanja vijnë konfirmime të tjera rreth faktit se Zhoze Murinjo nuk ka ndër mend të vazhdojë më në drejtimin e Real Madrid në sezonin e ardhshëm. Burimi i besueshëm, këtë herë është presidenti i Kanilas, akademisë ku stërvitet si portier djali i trajnerit portugez.
Manuel Alvarez nuk ka ngurruar të deklarojë para gazetarëve spanjollë se ka marrë konfirmimin nga vetë portugezi se vitin tjetër nuk do të jetë më në Spanjë.
“Murinjo na tha se vitin tjetër nuk do të ishte në gjendje të vinte të mbante leksione për trajnerët tanë, pasi nuk do të ishte më këtu. Largimi i Murinjos do të jetë një humbje e madhe për futbollin spanjoll, shpresoj që Florentino Perez të ndërhyjë për të zgjidhur këtë situatë”, ishte deklarata e presidentit të Kanilas i cili ka një marrëdhënie shumë miqësore me trajnerin e Real Madrid, aq sa ky i fundit organizonte shpesh kurse për trajnerët e akademisë së tij duke mbajtur referate të gjata mbi punën e trajnerit.
Kjo deklaratë, bashkë me atë që është mësuar muajin e kaluar se Murinjo u ka komunikuar shërbëtorëve në vilën e tij se do të jenë të papunë që nga data 1 qershor, përforcojnë bindjen se rruga e tij me atë të Real Madrid do të ndahet gjatë kësaj vere. Tani mbetet të mësohet vetëm ku do të drejtojë në sezonin e ardhshëm, me një emër të ri që ka dalë në skenë, francezët e Monako, të cilët janë tani nën pronësinë e miliarderit Dmitri Rybolovlev. Ky i fundit ka bërë gati një kontratë katërvjeçare prej 13 milion eurosh në sezon, nëse portugezi pranon të transferohet në Francë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 April 2013 18:58