Zhoze Murinjo nuk fshihet më dhe ka deklaruar hapur që objektivi i Real Madrid për sezonin 2012-2013 është të fitojë Ligën e Kampioneve. Tekniku portugez e ka bërë këtë të qartë para mediave në Indonezi, ku gjendet për të marrë pjesë në një aktivitet promocional.
“Dëshiroj të fitoj Ligën e Kampioneve me tre ekipe të ndryshme. Tani që Real Madrid ka fituar kampionatin, objektivi për sezonin e radhës bëhet fitorja në Ligën e Kampioneve. Kam mbyllur dy sezone dhe kam edhe katër të tjerë me këtë klub për ta çuar më para. Real Madrid është një projekt i jashtëzakonshëm”, ka treguar ai.
Më pas, Murinjo ka zbuluar se tashmë kishte filluar të mendonte që ndoshta nuk do të realizonte dot ëndrrën për të drejtuar një ditë kombëtaren portugeze drejt një suksesi ndërkombëtar.
“Nuk mendoj se mund të drejtoj një përfaqësuese e cila luan një ndeshje çdo dy muaj dhe një turne çdo dy vite. Kam nevojë të ndjej trysninë e dy apo tre ndeshjeve në çdo javë”, saktësoi ai.
Murinjo ka qenë i ftuar në Indonezi për një turne promocional, të organizuar nga miliarderi nga Singapori, Peter Lim. Gjatë konferencës së tij për shtyp, policia e Xhakarta u detyrua të rrethonte hotelin për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm të gazetarëve dhe tifozëve që dëshironin të shihnin nga afër teknikun portugez. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 June 2012 16:24