Trajneri i Real Madrid, Zhoze Murinjo, ka vlerësuar ekipin e tij, ndonëse u ndal në një barazim pa gola përballë Osasunas në ndeshjen e të shtunës në darkë. Madrilenët u shfaqën shumë larg formës së tyre më të mirë në një ndeshje ku vendasit arritën të mos i lejonin të krijonin raste të shumta për të shënuar.
“Nuk është e lehtë të krijosh raste para kundërshtarësh të tillë. Ne kishim raste për të shënuar, jo shumë, por kishim. Më pëlqeu sjellja e skuadrës dhe shumë lojtarë zhvilluan një ndeshje të madhe. Albiol dhe Koentrao meritojnë të vlerësohen pasi luajtën mirë, ndonëse sapo u kthyen nga dëmtime të gjata”, tha portugezi.
Iker Kasijas ishte titullar në këtë ndeshje, ndërsa Murinjo bëri të qartë se rotacioni në portë do të vazhdonte, duke mos garantuar një vend për kapitenin e madrilenëve dhe duke i dhënë merita të gjithë skuadrës që në ndeshjet e fundit kishte luajtur më mirë në prapavijë.
“Në dy ndeshjet e fundit, skuadra ka luajtur mirë në mbrojtje dhe ai është pjesë e saj. Më pëlqeu se si luajti edhe ndaj Selta Vigo, duke qenë në lartësinë e duhur për t’i dhënë një shtysë skuadrës së tij. Megjithatë, është shumë herët për të thënë nëse do të luajë ndaj Valencias të martën”, shpjegoi Murinjo.
Në fund, Murinjo lëshoi edhe batutën interesante mbi arsyen se pse sot, Reali mund ta shohë veten 18 pikë larg Barcelonës në luftën për titull.
“Nuk dua të shpjegoj se pse mund të jemi 18 pikë larg. Shpjegimi është shumë i gjerë. Në javët e para kanë ndodhur gjëra për të cilat nuk kam dëshirë të flas. Si rrjedhojë, kur diferenca është e madhe, një skuadër luan pa trysni, ndërsa tjetra po. Por nuk kam dëshirë të flas për atë që ndodhi në 6-7 javët e para të kampionatit”, tha Murinjo, duke bërë që të lindin kuriozitete mbi arsyen pse portugezi e bëri një deklaratë të tillë dhe çfarë është ajo për të cilën nuk do të flasë ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 13 January 2013 10:30