Trajneri i Real Madrid, Zhoze Murinjo, insiston se gjithçka do të ishte në rregull edhe nëse Kristiano Ronaldo largohet drejt PSZH. Ndonëse klubi francez hodhi poshtë zërat për transferimin e mundshëm të lojtarit portugez, spekulimet kanë vazhduar për këtë lëvizje të bujshme në merkaton e vitit të ardhshëm. Por sipas Murinjos, asnjë lojtar nuk është më i madh se klubi ku luan dhe ai e sheh skuadrën aktuale të bëjë mirë edhe nëse nuk ka në përbërje disa nga yjet e saj.
“Unë mund ta imagjinoj Real Madrid edhe pa ndonjë prej nesh. Nëse Real Madrid do t’i përkiste një trajneri apo një lojtari, do të ishte shumë keq dhe nuk do të kishte imazhin që gëzon tani. Real Madrid është shuma e pjesëve të ndryshme”, tha Murinjo.
Ndërkohë, konferencën për shtyp, ai ia ka dedikuar përsëri problemeve që ka me trajnerin aktual të Real Madrid B, Alberto Toril, i cili sipas trajnerit portugez, nuk ndjek rrugën e ekipit të parë si dhe nuk ka sy për talentet e jashtëzakonshme që ka në dispozicion.
“Xhese Rodriguez, që ju pëlqen aq shumë ju gazetarëve, nuk arrin të luajë për Kastija, ndërsa aty luajnë 24 vjeçarët. Toril ka autonominë e tij, unë mendoj për ekipin e parë, ndërsa ai për ekipin e dytë. Opinioni im rreth tij nuk do të ndryshojë”, tha trajneri që i dha mundësinë futbollistit 17 vjeçar të akademisë të debutonte me ekipin e parë gjatë ndeshjes së Kupës së Mbretit.
Në fund, Murinjo nuk harroi të theksonte se skuadra e tij duhej të përmirësonte lojën, por edhe të mësonte se si të fitonte në ndeshjet e vështira, ashtu siç po bën aktualisht Barcelona.
“Çelësi i fitoreve? Të luash mirë! Por skuadrat e tjera fitojnë edhe kur nuk zhvillojnë një ndeshje të mirë, një gjë që nuk ndodh te Real Madrid”, ishte komenti i trajnerit portugez. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 November 2012 13:22