Zhoze Murinjo, ka lëshuar një deklaratë e cila ka ndezur përsëri zërat për largimin e tij të mundshëm nga Reali i Madridit në fundin e sezonit. Pas fitores 3-0 të skuadrës së tij ndaj APOEL në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, tekniku portugez ka leshuar sinjale në drejtim të Masimo Moratit, duke lënë të kuptohet se do të ishte i gatshëm për një kthim të mundshëm të kjo skuadër.
“Të kthehem te Inter? Është e mundur. Interi është shtëpia ime ndaj një ditë…”, ishte komenti i tij i dhënë në një intervistë për “Sky” pas ndeshjes. “Interi është edhe shtëpia e “Lele” (Oriali) ndaj edhe ai duhet të kthehet”, ishte këshilla që Murinjo i ka dhënë presidentit të Interit.
Më pas, Murinjo ka folur për ndryshimin e radhës në pankinën e Interit, ku sapo është emëruar Andrea Stramaçioni, pas shkarkimit të Ranierit. Portugezi ka kujtuar kohët e lumtura që ka kaluar në radhët e zikaltërve dhe si suksesi i tij ka vështirësuar punën e atyre që e kanë pasuar.
“Tifozët e Inter? Jam një prej tyre. Jam i trishtuar por shpresoj që sezoni i ardhshëm të jetë më i mirë. Më vjen keq për Ranierin, por futbolli është i tillë. Kur gjërat shkojnë keq, janë trajnerët që ndërrohen. Nuk mendoja se cikli kishte përfunduar kaq shpejt. Sezoni 2009-2010, ai i “triplete” ka qenë fantastik dhe i papërsëritshëm. Ka qenë sigurisht një peshë e rëndë për trajnerët që më kanë zëvendësuar”, ishin fjalët e tij për televizionin italian. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 March 2012 10:27