Trajneri i Realit të Madridit, Zhoze Murinjo, tashmë duket se i ka shpallur luftë të hapur edhe tifozerisë së kësaj skuadre, pasi ka injoruar tërësisht vërshëllimat në adresë të tij gjatë ndeshjes me Atletik Bilbaon.
Në minutën e 84-t, një pjesë e ultrasve të skuadrës filluan të thërritnin në kor emrin e trajnerit portugez, por pjesa tjetër e stadiumit “Santiago Bernabeu” iu përgjigj me vërshëllima. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Murinjo ka bërë një nga batutat e tij të zakonshme rreth kësaj çështje.
“Ka një herë të parë për çdo gjë në jetë dhe kjo më ndodhi mua sot për herë të parë, por për mua nuk ka asnjë rëndësi. Nëse ata do të më vërshëllenin në një klub ku nuk vërshëllehet kundër askujt, si te Çelsi, atëherë po që do të ishte një problem”.
“Por në një stadium ku kanë vërshëllyer lojtarët më të mëdhenj në botë, kush jam unë që të mos marr disa vërshëllima? Zidan u përgjigj me futboll, ashtu si Ronaldo, ndërsa Kristiano vazhdon ta bëjë një gjë të tillë”.
“Unë do të vazhdoj të punoj dhe ndoshta një ditë unë do të përgjigjem dhe atëherë ata do të trishtohen”, ishte batuta e Murinjos në konferencën për shtyp.
Ndërkohë, ai ka refuzuar të komentojë lajmin se kishte patur një zënkë me Serxho Ramos duke deklaruar se nuk lexonte më gazetat. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 January 2012 11:07