Ndonëse vetëm pak ditë më parë Zhoze Murinjo deklaroi se e ardhmja e tij ishte në Angli, ai duket se po i shkel syrin PSZH-së, duke kërkuar tashmë që të transferohet në radhën e klubit francez në fund të këtij sezoni. Trajneri portugez ka pësuar një krisje që duket e parikuperueshme me Real Madrid, tifozët dhe vetë lojtarët e kësaj skuadre, ndaj pritet që në fund të këtij sezoni të largohet nga skuadra që në sezonin e kaluar e shpalli kampione në Spanjë duke thyer hegjemoninë e Barcelonës.
“Ekziston një mundësi, por nuk e di se kur. Nuk mund ta them kur. Përse jo!”, ishte komenti i Murinjos për “Canal+”, kur u pyet nëse ishte i interesuar për të drejtuar në Francë.
Pasiguria e tij për të ardhmen ka bërë që të hapen shumë skenarë të merkatos, ku përfshihen emrat e disa prej klubeve më të njohura angleze si Çelsi, Arsenal, Mançester Siti e Mançester Junajtid. Por duket se milionat e PSZH kanë filluar të tërheqin vëmendjen e portugezit.
Pronarët e klubit kanë investuar shuma të rëndësishme për lojtarë të mirë por ekipi përsëri nuk arrij të shkëlqejë ashtu siç pritet më kampionat, ndonëse ka emra si Ibrahimoviç, Laveci, Pastore e Tiago Silva. Humbja 3-2 në fushën e Sosho një natë më parë ka bërë reale mundësinë e ndryshimeve në pankinë në fund të sezonit, pasi sheikët e Katarit dëshirojnë një personazh shumë më mediatik dhe Murinjo plotëson profilin e personit që ato kërkojnë. (LajmeShqip.com)
Monday, 18 February 2013 09:55