Zhoze Murinjo i ka konfirmuar Jurgen Klop se vitin e ardhshëm do të marrë drejtimin e Çelsit. Këtë lajm e ka publikuar sot gazeta prestigjioze gjermane “Bild”, sipas të cilës, Murinjo ka kërkuar informacione edhe për Levandovskin, si dhe ka konfirmuar se Falkao do të bëhët pjesë e londinezëve në sezonin e ardhshëm.
Bashkëbisedimi mes dy trajnerëve ka ndodhur para fillimit të ndeshjes së Ligës së Kampioneve, ku të dy janë parë duke shkëmbyer disa batuta dhe duke qeshur me njëri-tjetrin.
Por sipas gazetës gjermane, biseda nuk ka qenë thjesht kortezi, pasi Murinjo ka bërë të qartë se do të largohet nga Real Madrid dhe se ka një akord me Roman Abramoviç për t’u kthyer përsëri në Londër.
Pas lajmërimit të shërbëtorëve se mbeten të papunë në qershor dhe pohimit ndaj drejtuesit të akademisë ku luan djali i tij se nuk do të kthehet vitin e ardhshëm aty, pohimi i radhës duket se i vë kapak largimit të Zhoze Murinjos në fund të sezonit. Fakti se vizitat e tij dhe të familjes në Londër janë shtuar, tregon edhe më shumë se kthimi i tij në drejtimin e Çelsit nuk është më vetëm një fantazi, por një hap konkret i radhës në karrierën e trajnerit portugez. (LajmeShqip.com)
Friday, 26 April 2013 19:57