Trajneri i Real Madrid, Zhoze Murinjo, ka bërë të qartë se pret që skuadra e tij të luajë më mirë, edhe pse fitoi 4-0 ndaj Real Saragozës. Pas një fillimi me probleme të sezonit, tashmë skuadra e Murinjos ka regjistruar 5 ndeshje radhazi pa humbje në kampionat dhe objektivi i radhës duket se është arritja e Atletiko Madrid që gjendet 5 pikë para në renditje, pasi u mund nga Valencia.
“Ndeshja nuk ishte nga më të mirat dhe mund e duhet të luajmë më mirë. Por e rëndësishme për ne ishte të fitonim dhe të fitonim qetësisht. Nëse duam të arrijmë rezultate në këtë sezon, padyshim që duhet të luajmë më mirë se sot”, ishte komenti i trajnerit të madrilenëve menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare.
Lëvdatat e vetme të trajnerit portugez kanë qenë për Luka Modriç, i cili shënoi golin e tij të parë me fanellën e kësaj skuadre në kohën shtesë.
“Mua më ka pëlqyer Luka Modriç që në momentin kur i është bashkuar skuadrës. Ai punon mirë dhe po përshtatet mjaft mirë. Të luash në kampionatin anglez dhe të luash në kampionatin spanjoll janë dy gjëra krejtësisht ndryshe. Të luash te Totenhemi dhe të luash te Real Madrid është edhe më ndryshe, por ai është një lojtar i madh”, ishin fjalët e trajnerit të madrilenëve për futbollistin që e kërkoi me ngulm gjatë verës. (LajmeShqip.com)
Sunday, 04 November 2012 12:01