Zhoze Murinjo është i bindur se Reali i tij ka bërë futbollin më të bukur në botë dhe për këtë arsye ka arritur të fitojë titullin kampion në Spanjë. Me ironinë e tij të zakonshme, ai ka kundërshtuar këdo që cilëson Barcelonën si ekipin më të mirë.
“Ekipi im luajti futbollin më të mirë të historisë, është gjë tjetër se disa të “ndriçuar” mendojnë se ekziston vetëm një lloj futbolli. Por këta njerëz e njohin futbollin nga Google. Nga aty i marrin njohuritë, por dinë shumë pak. Futbolli është shumë më tepër se aq. Luajtëm një futboll spektakolar, shënuam një numër golash të pabesueshëm, një numër të pabesueshëm fitoresh. Merr më shumë merita kur fiton përballë një ekipi si ai (Barcelona), që mbetet një ekip i madh dhe do të vazhdojë të jetë i tillë”, tha portugezi.
Më pas, ai i ka premtuar besnikëri Real Madrid, duke deklaruar se nuk e tërhiqte asnjë kampionat tjetër. “Nuk ka asnjë kampionat që të më motivojë më shumë për të fituar. Kam fituar atë që dëshiroja në karrierë, kampionatin e vendit tim dhe tre kampionatet më të fortë në Evropë. Nuk kam ndonjë ambicie për të fituar në ndonjë kampionat tjetër përveç këtyre”, tha Murinjo.
Gjatë festimeve të skuadrës, siç është tradita pranë statujës së hyjneshës Cibeles në Madrid, ai më pas deklaroi se puna e gjithë vitit ishte bërë pikërisht që tifozët të përjetonin festime të tilla.
Por deklaratat e Murinjos duket se nuk kanë dekurajuar Roman Abramoviç, i cili sipas “Daily Mail”, vazhdon të kontaktojë me portugezin për ta bindur që të kthehet te drejtimi i Çelsit. Ndonëse miliarderi rus e shkarkoi atë nga detyra në vitin 2007, ai është gati të lërë pas mosmarrëveshjet që kishte me teknikun dhe t’i besojë përsëri rindërtimin e skuadrës, pavarësisht kostove të larta ekonomike që do t’i duhet të përballojë për të përmbushur kërkesat e Murinjos. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 May 2012 08:40