Zhoze Murinjo ka bërë të qartë që për momentin nuk mendon aspak për atë që ndodh te Barcelona dhe se e ka mendjen te ekipi i tij. Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Rajo Vajekano, ai ka dribluar pyetjet që i bëheshin në lidhje me rinovimin e Pep Guardiolës te katalanasit.
“Për mua është njëlloj si të vazhdojë Guardiola, si jo. Gjëja më e rëndësishme është që ai të jetë i lumtur me atë që do të vendosë”, ishte këshilla miqësore e Murinjos, i cili këtë radhë ka preferuar të mos bëjë debate apo të thumbojë rivalët historikë të Realit.
Duke iu referuar ndeshjes së nesërme, Murinjo ka njohur vështirësinë e të luajturit në një orar të pazakontë (16:00) në një stadium që ka përmasat minimale të fushës së futbollit.
“Do të jetë një kundërshtar i vështirë dhe një ndeshje e komplikuar. Ata zakonisht luajnë një futboll të bukur, por në shtëpi, falë edhe përmasave të stadiumit, luajnë më shëmtuar por në mënyrë më rezultateve”.
“Fusha është e vogël, por për sa kohë që është brenda përmasave zyrtare, duhet të përshtatemi. Ajo që më shqetëson është si do të reagojë ekipi im”, ishin fjalët e Murinjos. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 February 2012 19:23