Goli i pësuar nga Real Madrid pas një tjetër goditje standarde, ka irrituar dukshëm Zhoze Murinjon, i cili pavarësisht se nuk ka dhënë emra, ka lënë të kuptohet se cilësonte përgjegjës Serxho Ramos, i cili nuk kërceu gjatë goditjes nga këndi duke i dhënë mundësinë Uellbek të shënonte golin e Mançester Junajtid.
“Ne stërvitemi, shohim videot e kundërshtarëve për të kërkuar të njohim pikët e forta të tyre, por kur humb duelet individuale, nuk ka organizim që të bën punë. E filluam ndeshjen mirë, por ato erdhën për herë të parë në portë dhe na shënuan”, tha Murinjo.
Vetë Serxho Ramos është i ndërgjegjshëm që kjo kritikë është ndaj tij dhe ka pranuar fajin për atë episod që mund të rezultojë shumë vendimtar për këtë sfidë.
“Jam realist, me atë gol mund të na fitonin ndeshjen. Por dua të them se ajo nuk ishte një goditje nga këndi. Gjyqtarët një herë të ndihmojnë e një herë jo. Jemi të pakënaqur për rezultatin, por të lumtur për mënyrën se si luajtëm”, tha ai.
Këtë kënaqësi për lojën e ka shprehur edhe Murinjo, i cili mendon se të dy skuadrat vazhdojnë të kenë të njëjtat shanse për të kaluar turin.
“Më pëlqen kur luaj ndeshjen e parë në fushën time se e di se për çfarë shkon në ndeshjen e kthimit. Jemi në disavantazh, por nëse shënojmë të parët, atëherë jemi ne në avantazh, pra e dimë se çfarë duhet të bëjmë në “Old Traford”. Kualifikimi është 50% për secilin klub, repektoj kundërshtarin por besimi se do të kalojmë turin nuk ka marrë ndonjë goditje nga kjo ndeshje”, deklaroi Murinjo. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 February 2013 14:05