Zhoze Murinjo ka fajësuar kalendarin e pakuptimtë të kampionatit spanjoll dhe paraqitjen e gjyqtarit në ndeshjen e humbur kundër Betis me rezultatin 1-0. Kjo disfatë, e treta në këto 13 javë të para të kampionatit, më shumë se i gjithë edicioni i kaluar, sipas tij ka ardhur nga një konspiracion kundër madrilenëve me kalendarin e ndërtuar për të dëmtuar këtë skuadër.
“Unë mundohem të tregohem i drejtë dhe kur ekipi im mundet nuk është se gjej justifikime apo fajësoj gjëra të tjera. Por është e dukshme që një skuadër që ka luajtur të mërkurën në Ligën e Kampioneve nuk duhet të luajë sot. Me sa duket, janë skuadra të tjera që kanë kontroll mbi kalendarin, gjë të cilën ne nuk e bëjmë dot. Si gjithmonë, meqë unë flas kundër këtyre gjërave, unë do të shpallem i keqi”, ishte shpërthimi i Murinjos duke iu referuar faktit se ekipi i tij luajti vetëm 3 ditë pas ndeshjes në Ligën e Kampioneve me Mançester Sitin, ndërsa Barcelona që luajti të martën, luan sonte në darkë.
“Kur ne fitojmë, fitojmë të gjithë. Kur ne humbasim, fajin e ka trajneri. Përse është faji im në këtë ndeshje? Këtë vit është e mundur që ta mbyllim kampionatin me 13, 11 apo 9 pikë pas Barcelonës. Kampionati është ende i hapur, por unë nuk mund të përqendrohem vetëm te një turne, luajmë për çdo turne ku marrim pjesë”, tha Murinjo i cili më pas sulmoi edhe gjyqtarin e ndeshjes.
“Gjyqtari kishte faj shumë të madh sepse anuloi pa të drejtë një gol të Benzema dhe nuk dha një penallti të dukshme në minutat e fundit. Por Betis meriton respektin tim pasi mundi me lojë Real Madrid. Përgëzova të gjithë lojtarët e Betis pasi dhanë gjithçka në fushën e lojës dhe luftuan me shpirt sakrifice”, tha Murinjo i cili në fund të takimit i dha dorën të gjithë lojtarëve kundërshtarë si dhe duartrokiti gjatë të gjithë tifozët vendas në stadium. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 November 2012 15:37