Zhoze Murinjo ka lënë mënjanë ironinë duke zgjedhur që të përgëzojë Barcelonën për titullin kampion të fituar pasi Reali i tij nuk arriti të mposhtë Espanjolin, duke i dhënë katalanasve sigurinë matematike të titullit të 22-të.
“Fillimisht dua të përgëzoj Barcelonën, trajnerët e saj dhe tifozët e saj. Mendoj se përgëzimi është gjëja më logjike që duhet bërë në këtë rast. Vitin e kaluar ne fituam dhe folëm për arritjen e një trofeu të madh, ndaj tani mendoj se ka kuptim dhe është minimumi që mund të bëjmë, duke i dhënë rëndësinë e duhur arritjes së tyre”, shpjegoi ai, duke bërë të qartë se vlerëson maksimalisht këtë titull të katalanasve, i 4-ti në 5 vitet e fundit.
Por trajneri portugez nuk ka mbajtur dot nervat e tij kur konferenca për shtyp u kthye në një breshëri pyetjesh rreth lënies jashtë të mbrojtësit Pepe, nëse ishte një formë dënimi apo jo për fjalët që kishte thënë kundër Murinjos.
“Ju flitni gjithmonë për një lojtar dhe kjo nuk është e rëndësishme. Kampionati ka një kampion të ri, ndërsa ju flisni për vetëm një lojtar. Unë jam trajneri dhe nuk kam arsye të justifikoj asgjë. Nga dita e parë, deri në të fundit, do të jem unë ai që do të vendosë se kush do të luajë. Kam mundësinë që me raste të shpjegoj zgjedhjen time, por me raste jo”, ishte reagimi i Murinjos. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 May 2013 11:05