Zhoze Murinjo ka bërë të qartë se pret që Kristiano Ronaldo të shpallet fitues i “Topit të Artë” në këtë sezon. Sipas tij, fakti që ka shënuar më pak gola se Lionel Mesi nuk do të thotë asgjë, pasi portugezi ka fituar titullin kampion e argjentinasi jo.
“Nëse në futboll ka drejtësi, Kristiano Ronaldo duhet të fitojë “Topin e Artë”. Ai është një futbollist i veçantë, më i kompletuari në botë. Shënon gola me kokë, me goditje dënimi, nga 30 metra, me kundërsulm… Kristiano është një futbollist që bën gjithçka”.
“Kristiano e meriton të jetë “Topi i Artë”, jo sepse ka qenë golashënuesi më i mirë, pasi atë trofe e ka marrë që vitin e kaluar, por sepse golat e tij sollën një titull kampion”.
“Mesi ka shënuar 50 gola që nuk kishin asnjë vlerë, në të njëjtën mënyrë si Kristiano që shënoi 42 gola një vit më parë dhe nuk kishin asnjë vlerë. CR7 nuk arriti të fitonte çmimin e golashënuesit më të mirë në Spanjë dhe mendoj se duhet kompensuar duke i dhënë “Topin e Artë””, ishte komenti i Murinjos rreth kësaj çështje.
Prej disa javësh, trajneri portugez ka filluar t’i bëjë “reklamë” bashkëkombësit të tij duke kërkuar mbështetje që sulmuesi i Real Madrid të marrë “Topin e Artë”, për të evituar në këtë mënyrë që Mesi të thyejë një tjetër rekord duke u bërë i pari me katër trofe të tillë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 May 2012 10:50