Kejsi Stoner ka lënë pas gabimet e garave të fundit duke marrë me forcë një fitore në pistën e Laguna Seka në Çmimin e Madh të SHBA në MotoGP. Piloti i Hondas ka treguar klasin e tij duke arritur t’i qëndrojë pas Lorencos e më pas duke e kaluar spanjollin pa i dhënë mundësinë të rikuperojë.
Në vendin e tretë është renditur Dani Pedroza, i cili ishte i vetmi që dukej në gjendje të jepte kohë të përafërta me dyshen e kreut, por nuk arriti asnjëherë t’i afrohej atyre dhe të rrezikonte seriozisht fitoren në këtë garë.
Ben Spis me Jamahan tjetër zyrtare po shfaqte një formë të mirë dhe po mbante vendin e katërt deri në momentin kur u rrëzua në kthesën e famshme që quhet “hapësja e shishes”, ndërsa pak xhiro më vonë të njëjtin fat pësoi dhe Valentino Rosi, i cili në këtë pjesë të pistës ka zhvilluar disa nga parakalimet më spektakolare të karrierës së tij.
Vendi i katërt i kaloi italianit Andrea Doviciozo, që vazhdon të dominojë përballë shokut të tij të skuadrës te Tek 3 Jamaha, Kal Kraçlou, i cili e mbylli garën në vendin e pestë.
Niki Hejden u kënaq me vendin e 6-të në këtë garë, ndërsa në xhiron e nderit u ndal dhe mori pasagjer Rosin, që ishte rrëzuar dy xhiro para fundit. (LajmeShqip.com)
Renditja e botërorit për pilotë pas 10 garash
205 Horge Lorenco (Jamaha)
182 Dani Pedrosa (Honda)
173 Kejsi Stoner (Honda)
121 Andrea Doviciozo (Tek 3 Jamaha)
106 Kal Kraçlou (Tek 3 Jamaha)
84 Stefan Bradl (LCR Honda)
84 Niki Hejden (Dukati)
82 Valentino Rosi (Dukati)
81 Alvaro Bautista (Gresini Honda)
66 Ben Spis (Jamaha)
Monday, 30 July 2012 08:40