Dani Pedroza me Honda ka arritur të sigurojë pole-position në Çmimin e Madh të Italisë në pistën e Muxhelo, duke treguar se është një nga kandidatët kryesorë për fitoren dhe tani mund të cilësohet një pretendent për titull në këtë sezon.
Piloti që rinovoi kontratën e tij me skuadrën japoneze pak ditë më parë, arriti të kalonte në minutat e fundit të kualifikueseve Horge Lorenco me Jamaha, i cili kishte qenë më i shpejti në pistë gjatë të gjithë provave të fundjavës. Por Pedroza vendosi kohën 1 minutë e 47.365 sekonda, që është edhe rekordi i ri i pistës italiane për klasin MotoGP, ndërsa Lorenco vendosi që të mos e mbyllte xhiron e tij të fundit, ku dukej se ishte më i shpejtë se bashkëkombësi i tij, duke u kënaqur me vendin e dytë në vijën e nisjes.
Ndërkohë, çudia e ditës ishte Hektor Barbera i cili me Pramak Dukati arriti të regjistronte kohën e tretë më të shpejtë, duke siguruar për herë të parë në karrierë një nisje në vijën e parë në MotoGP. Spanjolli u rendit para Dukatit të Niki Hejden, ndërsa pas tyre erdhën me radhë Honda e Kejsi Stoner dhe dy motorat Tek 3 Jamaha të Kraçlou dhe Doviciozo.
Duke parë rezultatet e dy motorëve të tjerë Dukati, humbësi më i madh i provave zyrtare në Muxhelo ishte padyshim Valentino Rosi, i cili për asnjë moment nuk iu afrua motorëve të kreut duke mbyllur kualifikueset i 10-ti dhe duket gjithnjë e më shumë në vështirësi me motorin italian, pavarësisht deklaratave të besnikërisë ndaj kësaj skuadre. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 16:31