Horge Lorenco me Jamaha duket se ka vënë diktatin e tij në këtë sezon të MotoGP duke arritur të fitojë në Çmimin e Madh të Italisë në pistën e Muxhelos. Ish-kampioni i botës kaloi Dani Pedrozan e Hondas që në kthesën e parë dhe nga ai moment nuk kishte më nevojë as të shihte prapa pasi kundërshtarët nuk e mbanin dot ritmin e tij.
Piloti spanjoll vendosi një distancë sigurie prej 5 sekondash nga Pedroza që përfundoi garën i dyti, ndërsa në fundin e garës kishte kohë edhe të ulte shpejtësinë dhe t’i bënte me dorë publikut të pranishëm, para se të prente finishin dhe të merrte fitoren e tij të 5-të në këtë sezon.
Nëse Pedroza arriti të siguronte vendin e dytë në podium dhe të bëhej rivali kryesor për titull i Lorencos, gjërat po shkojnë si mos më keq për Kejsi Stoner që vazhdon të lërë pikë rrugës. Kampioni në fuqi u rrëzua në xhiron e 10-të dhe vetëm në metrat e fundit të garës arriti të marrë vendin e 8-të në këtë pistë.
Vendi i tretë i shkoi italianit Andrea Doviciozo, i cili mundi në finish gjermanin Stefan Bradl, me Valentino Rosin që siguroi vendin e pestë, duke treguar shenjat e një Dukati në rritje, të paktën të aftë për të qëndruar në luftë për vendet 4-5. (LajmeShqip.com)
Renditja e botërorit MotoGP
185 Horge Lorenco (Jamaha)
166 Dani Pedroza (Honda)
148 Kejsi Stoner (Honda)
108 Andrea Doviciozo (Tek 3 Jamaha)
95 Kal Kraçlou (Tek 3 Jamaha)
82 Valentino Rosi (Dukati)
75 Stefan Bradl (LCR Honda)
74 Niki Hejden (Dukati)
73 Alvaro Bautista (Gresini Honda)
66 Ben Spis (Jamaha)
60 Hektor Barbera (Pramak Dukati)
Sunday, 15 July 2012 17:01